Afaristët dhe pronarët e shtëpizave në Kodrën e Diellit kanë realizuar një takim urgjent me përfaqësues të komunës së Tetovës, Policisë, Spitalit dhe ndërmarrjes shtetërore ELEM. Takimi është mbajtur pas tollovisë së shkaktuar vikendin e kaluar, me ç’rast janë kërkuar kushte më të mira infrastrukturore për këtë pikë turistike.
“Kemi probleme me komunikacionin, parkimin në ditët e vikendeve të shtunën dhe të dielën, dhe kërkojmë nga komuna e Tetovës që të bëjmë një zgjidhje të bëjë një plan për komunikacionin që të mund ta implementojmë urgjentisht. Kërkuam nga ELEM që të shtojë angazhimin e vet me stazat për rëshqitje, dhe disa probleme me shërbime komunale apo publike, në veçanti me ambulantën që duhet të jetë ditëve të vikendit”, tha afaristi Hajrulla Hasani.
Pas përfundimit të takimit, kah dera e pasme kanë ikur edhe dy drejtorët e Kodrës së Diellit me qëllim që të mos dalin para kamerave.
Sipas pronarëve të hoteleve dhe shtëpizave në Kodrën e Diellit, kërkesa janë të kamotshme, megjithatë, deri në këto momente ende askush nuk u ka dalë në ndihmë për të përmirësuar situatën me kosin në këtë qendër turistike./Telegrafi/