Site icon Telegrafi

Kaos rrugëve të Teheranit, protesta për shkak të rrëzimit të aeroplanit – Trump përkrah demonstruesit

Iranianët e pakënaqur i kanë kërkuar Khameneit që të japë dorëheqje dhe të largohet nga vendi. Madje ata kanë brohoritur “vdekje diktatorit”.

Autoritetet iraniane kanë pranuar që gabimisht kishin rrëzuar aeroplanin komercial të Ukrainës, brenda të cilit humbën jetën 176 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, duke nxitur demonstrata të mëdha në Teheran, transmeton Telegrafi.

Mijëra njerëz janë mbledhur para hyrjes së universitetit “Amir Kabir”, duke bartur fotografitë e pasagjerëve të vdekur duke e shqyer fotografitë e gjeneralit të vdekur Qassem Soleimani.

“Lider suprem, jep dorëheqje. Duhet të vijë turp, largohu nga vendi”, e kanë porositur demonstruesit liderin Ayatollah Ali Khamenei.

Siç raporton Reuters, agjencia iraniane Fars në një raport të rrallë për protestat antiqeveritare në Iran kanë raportuar se demonstruesit në Teheran kanë brohoritur kundër zyrtarëve më të lartë shtetëror, pasi që autoritetet pranuan se me raketë kishin rrëzuar aeroplanin ukrainas të mbushur me pasagjerë.

E policia në një moment ka shpërndarë turmën duke përdorur gaz lotsjellës. Përkrahje të madhe protestuesve u ka ofruar presidenti amerikan Donald Trump.

“Popull i Iranit, kam qenë me ju nga fillimi i mandatit dhe qeveria ime do të vazhdojë t’ju  përkrahë. Po ndjekim protestat e juaja me kujdes. Trimëria e juaj është inspirim”, ka shkruar Trump në Twitter në gjuhën angleze dhe persiane. /Telegrafi/

 

Exit mobile version