Telegrafi

Kaos në Parlamentin Evropian: Protestuesit kurdë hyjnë në sallë, evakuohen eurodeputetët

Eurodeputetët u evakuuan për pak kohë nga Parlamenti Evropian sot pasi një grup aktivistësh kurdë ndërprenë punën e këtij institucioni përmes protestave.

Një grup prej 15 deri në 20 persona filluan të bërtasin me zë të lartë në galerinë e vizitorëve me pamje nga salla.

Aktivistët mbanin flamuj me imazhin e të burgosurit, Abdullah Ocalan, një nga themeluesit e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), grup militant i konsideruar si organizatë terroriste në Turqi.

Përveç Turqisë, kështu trajtohet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Bashkimin Evropian.

Një grup deputetësh, duke përfshirë kryetaren, Roberta Metsola, shkuan për të negociuar me aktivistët që refuzuan të largoheshin dhe kërcënuan se do të hidheshin nga galeria e vizitorëve.

“Kishte shqetësime se ata do të lëndoheshin duke u hedhur nga ballkoni si pjesë e protestës”, tha Metsola pasi rifilloi punën parlamenti evropian.

Ndryshe, Ocalan është i burgosur në ishullin İmralı në Detin Marmara që nga shkurti i vitit 1999. /Telegrafi/