Protestuesit i vunë flakën koshave të plehrave dhe u përleshën me policinë në Napoli ndërsa u vendos një shtetrrethim për të frenuar përhapjen në rritje të coronavirusit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, dhuna shpërtheu ndërsa qindra aktivistë, shumë me maska fytyre, dolën në rrugët e qytetit mbrëmë për të kundërshtuar masat më të ashpra të vendosura për të zbutur shtrirjen e virusit ndërsa infeksionet e reja arritën një rekord të lartë.
Pamjet tregojnë turma njerëzish që brohorisnin dhe marshonin nëpër qendër të qytetit.
Siç raportohet më tej, makinat e policisë u sulmuan nga protestuesit duke përdorur shkopa bejsbolli ndërsa gjëra të tjera u hodhën në drejtim të oficerëve që përdorën gaz lotsjellës.
Këto thuhet se ishin demonstratat e para të tilla në Itali që nga fillimi i shpërthimit të coronavirusit tetë muaj më parë.
Ndryshe, rastet me COVID-19 në të gjithë Italinë janë rritur shtatë herë që nga fillimi i muajit, duke arritur në 19,143 të premten dhe duke rritur frikën se pandemia po del jashtë kontrollit.
Si rezultat, kufizimet po vendosen jo vetëm në Napoli, por edhe në Milano dhe Romë.
Ndërkohë, Franca ka tejkaluar një milion raste të konfirmuara të coronavirusit që nga fillimi i pandemisë, duke u bërë vendi i dytë në Evropën Perëndimore pas Spanjës. /Telegrafi/