Site icon Telegrafi

Kaos në Minsk – raportohet për një të vdekur

Policia bjelloruse përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndanë protestën e mbajtur në Minsk për natën e dytë me radhë pas zgjedhjeve presidenciale.

Disa mijëra demonstrues u mblodhën në rrugët e kryeqytetit me përfaqësues të opozitës, të cilët valëvitnin flamujt shtetëror.

Disa bërtasin “Turp” dhe “Rroftë Bjellorusia”, raporton BBC. Sipas saj, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome dhe një gazetar u plagos.

Gjatë konfliktit me forcat speciale, një person u vetëvra kur u përpoq të hidhte një pajisje shpërthyese ndaj tyre, tha policia. Megjithatë, eksplozivi u aktivizua në duart e tij, transmeton Telegrafi.

Një kolonë e automjeteve të forcave speciale po lëviz në drejtim të kësaj pjese të qytetit. Megjithatë, ata u bllokuan nga veturat e qytetarëve.

Policia Bjelloruse arrestoi të paktën 19 persona sot gjatë një proteste nga protestuesit, të cilët u mblodhën në Minsk për të dytën ditë me radhë, raporton Reuters, duke cituar një dëshmitar pa emër.

Të dielën në mbrëmje, pasi u njoftuan rezultatet e para të zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi, pati protesta gjatë të cilave protestuesit u përleshën me policinë, dhe u arrestuan 3.000 pjesëmarrës.

Në ato zgjedhje, Presidenti Aleksandër Lukashenko fitoi mandatin e tij të gjashtë, duke fituar me 80.08 për qind të votave. /Telegrafi/

Exit mobile version