Telegrafi

Kaos në Dhomën e Përfaqësuesve, shkarkimin e kryetarit e kërkoi republikani besnik i Trumpit

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan votuan të martën për largimin e kryetarit, për herë të parë në historinë amerikane.

Kështu ‘konflikti’ në Partinë Republikane ka çuar në kaos të ri në Kongres, vetëm disa ditë pasi u shmang një mbyllje e pjesshme e qeverisë, transmeton Telegrafi.

Për shkarkimin e republikanit Kevin McCarthy votuan 216 anëtarë të dhomës së ulët të Kongresit, nga të cilët 208 ishin demokratë dhe 8 republikanë, ndërsa 210 ishin kundër.

Vendimi për të hequr McCarthy kërkonte një shumicë të thjeshtë të Dhomës së Përfaqësuesve prej 435 anëtarësh të kontrolluar nga republikanët, 221 me 212 demokratë.

Një anëtar i krahut të djathtë të Partisë Republikane në dhomën e ulët të Kongresit, Matt Gaetz, i cili është besnik i ish-presidentit amerikan Donald Trump, të hënën paraqiti një kërkesë për votim për largimin e McCarthy, pasi kryetari dështoi javën e kaluar për të miratuar një projektligj për financimin e qeverisë që do të përmbante prioritete konservatore.

Lexo po ashtu Votim historik në SHBA - Kevin McCarthy shkarkohet nga posti i kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve

McCarthy tha në konferencën për shtyp, pas votimit për zëvendësim, se nuk planifikon të kandidojë sërish për kryetar. Ai tha se nuk është penduar për vendimet që e çuan në shkarkimin e tij.

Ende nuk dihet se kush mund ta zëvendësojë McCarthy-n dhe si kandidatë përmenden liderë të tjerë republikanë si Steve Scalise dhe Tom Emmer. Patrick McHenry, një republikan nga Karolina e Veriut, u zgjodh si ushtrues detyre.

Dhoma e Përfaqësuesve do të jetë pa kryetar për të paktën një javë. Disa republikanë kanë thënë se planifikojnë të diskutojnë për pasardhësin e mundshëm të McCarthy më 10 tetor, me një votim të planifikuar për një ditë më vonë. /Telegrafi/