Telegrafi

Kanoset prokurori disiplinor Rexhep Veseli nga avokati Nasuf Hasani, Oda e Avokatëve kërkon veprime ligjore

Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se prokurori disiplinor Rexhep Veseli, është kanosur përmes e-mailit nga kryetari i degës regjionale në Prishtinë, avokati Nasuf Hasani.

“Prokurori Disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Rexhep Veseli, me tu paraqitur sot në punë, ka kuptuar se në e-mailin e tij zyrtar ka arritur një e-mail (në ora 01:14 min pas mesnatës) nga avokat Nasuf Hasani, i cili mban pozitën e Kryetarit të Degës Regjionale në Prishtinë, përmes së cilës është kanosur dhe se kjo e-mail ka përmbajtje kërcënuese serioze”, thuhet në njoftimin e OAK-së.

Oda e Avokatëve tutje ka shtuar se kanosja ka të bëjë me punën dhe detyrat zyrtare të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

“Oda e Avokatëve të Kosovës, dënon ashpër kërcënimet dhe kanosjet e kryetarit të Degës së Prishtinës, në drejtim të Prokurorit Disiplinor dhe se veprime të tilla janë të pa pranueshme e që dëmtojnë prestigjin e avokatit dhe Odës së Avokatëve të Kosovës.

Rasti është lajmëruar në Policinë e Kosovës nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, andaj Oda e Avokatëve të Kosovës, kërkon nga organet kompetente ta trajtojnë rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat konform ligjit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/