Telegrafi

Kanë votuar rreth 24 për qind e elektoratit

Drenasi me 52, 71 për qind prin për pjesëmarrje, që pasohet nga Suhareka (34,09 për qind), Podujeva 34 për qind dhe Prishtina 30 për qind.

Ndërkohë edhe në vendbanimet e populluara me serbë, përqindja e votuesve tanimë nuk është zero, sikur ishte raportuar në konferencën e KQZ-së dhe OSBE-së të orës 11. Sipas shefit të OSBE-së, Tim Guildmann, në zonat me shumice serbe janë hapur me shumë se gjysma e qendrave të votimit, dhe se ka pasur votues, megjithëse ende në numër jo të kënaqshëm. Kështu në Zveqan, përqindja e votuesve deri në orën 14 ka qenë vetëm 0, 82.

Duke e shpjeguar pjesëmarrjen e ulët të serbëve në zgjedhje, Guildman tha se kjo po ndodh për shkak të thirrjes së Beogradit zyrtar për bojkot; por ai theksoi se mosdalja në zgjedhje është e drejtë demokratike e çdo votuesi në çdo vend demokratik.

Ai i mohoi raportimet e disa medieve se në veri dhe në disa enklava serbe në qendër të Kosovës, si në Partesh, janë mbyllur krejtësisht qendrat e votimit për shkak të presioneve nga persona të ndryshëm.

Kryeshefi i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka treguar se në disa vendvotime kanë marrë ankesa nga votuesit se në fletoret me emrat e kandidatëve janë hequr fletët, ose fshirë emrat. Pas zëvendësimit të këtyre fletoreve, procesi ka vazhduar normalisht.

Ndërkohë pyetjes së një gazetari se a është thyerje e heshtjes zgjedhore, në rastin kur së paku një parti ka inkurajuar publikisht simpatizantët e tyre që të nisin festimet, shefi i OSBE-së tha se KQZ-ja po merret me këtë çështje, sepse është e vërtetë se thirrje të tilla derisa vazhdon votimi, mund të ndikojnë në votuesit e tjerë.