Një ndeshje shumë të suksesshme të mërkurën mbrëma e kishte hendbollistja e Kosovës, Marigona Hajdari. Ajo realizoi katër gola dhe katër asistime për Ringkobingun që luajti si mysafir i Horsensit në Superligën e Danimarkës.
Ringkobingu humbi me 24-22, ndonëse ishte në epërsi 12-11 pas pjesës së parë. Marigona është shquar me organizimin e lojës, ndërsa pos kësaj ka shtuar katër gola nga gjashtë tentime.
Paraqitje të mirë kishte edhe Leonora Demaj. Ajo kontribuoi te Ringkobingu me dy gola nga tri tentime.
Superliga e Danimarkës është prej ligave më të forta në botë.
Në Superligën e Norvegjisë po vazhdon me paraqitje Mirela Gjikokaj. Ajo të mërkurën shënoi një gol dhe bëri katër asistime për skuadrën Follo. Follo humbi nga Tertnesi me rezultat 34-27.
Në Slloveni, Mirjeta Bytyqi shënoi katër gola po të mërkurën, në fitoren 38-24 të Mlinotest Ajdovshçina ndaj Zagorjes.
Në Zvicër, Pashke Marku shënoi katër gola në fitoren 29-20 të Kreuzlingenit ndaj Arbonit. Në pjesën e dytë të edicionit Kreuzlingeni po garon në elitë, por jo për titull të kampionit.