Ndërtimet në autostradën Ohër-Kërçovë janë ndërprerë. Makinat e punës janë në vend, ndërsa materiali ndërtimor akoma nuk është shfrytëzuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Procesi i ndërtimeve ka ngecur, ndërsa vetëm tetë muaj na ndajnë nga premtimi i madh se 57 km rrugë me vlerë prej 374 milionë euro do të jetë gati deri në janar të vitit 2018.
Nëse vetëm për tre vite janë asfaltuar vetëm 6 km, atëherë është pothuajse e pamundur që 50 km tjera të asfaltohen për tetë muaj.
Autostrada ndërtohet nga kompania kineze “Sinohidro” e cila ka filluar në shkurt të vitit 2014, për të cilën PSP-ja ka hapur rastin “Traektorja”, nën dyshimin se përmes tenderëve të planifikuar me marrëveshje me funksionarë të OBRM-PDUKM-së ka fituar dy tenderët më të mëdha për infrastrukturë rrugore Milladinovci-Shtip dhe Ohër-Kërçovë, me çka kanë dëmtuar buxhetin e shtetit prej 155 milionë euro./Telegrafi/