Telegrafi

“Kanë filluar të japin subvencione për shokë e familjarë” – këshilltari i Konjufcës hedh akuza për keqmenaxhim të buxhetit në Komunën e Prishtinës

Ilir Kërçeli, këshilltari politik i kryekuvendarit Glauk Konjufca, ka pretenduar se Komuna e Prishtinës për ta ulur suficitin buxhetor për këtë vit, po jep subvencione për miq dhe familjarë.

Kërçeli këtë e ka deklaruar me anë të një postimi në ‘Facebook’, teksa ka bërë të ditur se vitin që shkoi udhëheqja e Përparim Ramës shënoi rekord në deficit buxhetor, me mbi 49 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

“Nëse shohim raportet financiare, del se nga viti 2021 Komunës së Prishtinës i patën tepruar 38 milionë euro suficit buxhetor, të cilat i kishin bartur në vitin 2022, me arsyetimin se ishte pandemia dhe nuk ishte arritur të shpenzohej ky buxhet. Kurse në vitin 2022 kur erdhi qeverisja e re, suficiti buxhetor lëre që nuk ishte ulur, por kishte thyer rekord me 49 milionë euro të cilat poashtu u bartën në vitin 2023 me arsyetimin se qeverisja e kaluar kishte planifikuar keq”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, deklarimet për bllokim të investimeve janë jo-serioze, meqë komunës i trepon çdo vit buxhet për investime kapitale.

Postimi i plotë:

Çka është duke ndodhë me suficitin rekord në Komunën e Prishtinës?!

Nëse shohim raportet financiare, del se nga viti 2021 Komunës së Prishtinës i patën tepruar 38 milionë euro suficit buxhetor, të cilat i kishin bartur në vitin 2022, me arsyetimin se ishte pandemia dhe nuk ishte arritur të shpenzohej ky buxhet. Kurse në vitin 2022 kur erdhi qeverisja e re, suficiti buxhetor lëre që nuk ishte ulur, por kishte thyer rekord me 49 milionë euro të cilat poashtu u bartën në vitin 2023 me arsyetimin se qeverisja e kaluar kishte planifikuar keq.

Arsyetimin e kishin të gatshëm menjëherë. Ja një deklaratë e nënkryetarit të Prishtinës në dhjetor të vitit të kaluar “Projekti nuk është emër dhe numër, projekti lypë përgatitje e këto përgatitje i kemi gjetë keq”.

Mirëpo dita-ditës po dëshmohet se këta lëre që nuk dijnë të menaxhojnë me planifikimet e kaluara, por edhe me ato që i planifikojnë vet do thyejnë rekord suficiti me mbi 49 milion euro.

E tash për të mbuluar marren, kanë filluar të japin subvencione për shokë e familjarë, si në aksham-pazar, me shpresën se do ta ulin pakëz suficitin rekord që do ta kenë edhe sivjet.

Prandaj edhe pretendimi se Komunës po i bllokohen investimet është totalisht joserioz, kur kihet parasysh që Komunës së Prishtinës çdo vit i teprojnë paratë e buxhetuara për investime kapitale. /Telegrafi/