Përgatitjet për Karnavalet e Bozovcës kanë nisur dhe ajo që i bën të veçanta këtë vit janë prurjet e reja që do t’i bëjnë ndryshe nga më parë, shkruan gazeta Koha. Edhe pse kanë pasur kritika, organizatorët kanë vendosur që të fusin elementin femëror në to. Një ndryshim i formës tradicionale të organizimit, kur meshkujt imitojnë gratë, vishen e stolisen si to, por që këtë herë trashëgimia e veshjeve karakteristike të grave dhe nuseve të kësaj zone do të prezantohet nga vetë ato dhe jo nga burra të maskuar.
Tre nuset janë ato që do të “thyejnë” rregullat, duke u bërë pjesë e performancave të karnavaleve që zhvillohen më 12 mars. Edhe gjatë organizimeve të mëparshme roli i gruas ka qenë gjithnjë brenda shtëpisë. Ato janë marrë kryesisht me përgatitjen e ushqimeve që shërbehen atë ditë për të ftuarit, por edhe për të gjithë fshatin
Ky është viti i nëntë i karnavaleve, të cilat filluan të organizohen pas një periudhe të gjatë ndërprerje 1981-2009. Mbështetje financiare që marrin është e vogël, rreth 2 mijë euro, duke minimizuar të gjitha mundësitë për një organizimin sa më të mirë. Neshat Mehmedi, një prej organizatorëve kryesor, thotë për Koha se pretendimet e tyre janë shumë larg asaj që prezantohet për opinionin.
Karnavalet janë një formë tradicionale e festimit tek shqiptarët kalimin nga një stinë në tjetrën, dhe e veçanta e karnavaleve ilire të Sharrit është mënyra origjinale e organizimit që nuk ka kurrfarë ndikimi apo ngjashmërie me karnavalet që zhvillohen në trevat e tjera shqiptare.