Telegrafi

A kanë ende gjasa demokratët ta fitojnë Senatin?

Aktualisht të dyja palët kanë 48 vende në Senatin e ardhshëm, mirëpo, pritja për të parë se cila parti do ta udhëheqë atë, mund të marrë pak kohë.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, rezultatet në Karolinën e Veriut dhe në Alaskë ende nuk janë deklaruar, dhe dy vende në Gjeorgji do të shkojnë në balotash në muajin janar.

Nëse republikanët i sigurojnë vendet në Alaskë dhe në Karolinën e Veriut, ata përsëri mund të jenë më pak se 51 vendet e nevojshme, nëse nuk e sigurojnë një fitore në Gjeorgji.

Republikanët në thelb kanë nevojë për një vend më shumë se rivalët e tyre, sepse nënkryetari mban votën e barazimit dhe në administratën tjetër, në atë pozitë do të jetë demokratja Kamala Harris.

Demokratët tashmë e kanë kontrollin e Dhomës dhe kështu kontrolli i Senatit do t’i lejojë ata të shtyjnë më lehtë legjislacionin.

Nëse republikanët vazhdojnë të kontrollojnë Senatin, kjo do të krijojë probleme për Bidenin, veçanërisht kur përpiqen të shtyjnë pjesë të axhendës së tij legjislative.

“Nuk mund t’ju them se sa e rëndësishme është që ne ta marrim përsipër Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk ka shtet më konsekuent se Gjeorgjia në atë luftë”, pati thënë Biden gjatë një tubimi në Atlanta. /Telegrafi/