Site icon Telegrafi

Kandiq: Rusia do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OKB nëse Serbia i vendos sanksione

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan Harchenko i është përgjigjur pyetjeve se si do të vepronte shteti rus në rast se Serbia i vendos sanksione dhe nëse vendi i tij do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. 

Ai pohoi se për Rusinë, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit do të jetë i rëndësishëm qëndrimi i qeverisë serbe në raport me Rusinë, raporton danas.

Ndaj kësaj interviste ka reaguar themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e cila beson se ambasadori rus i ka dhënë mesazh të qartë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Mesazhet e djeshme të ambasadorit rus në Beograd janë më shumë një paralajmërim për Vuçiqin, se Rusia do të votojë për anëtarësimin e Kosovës në OKB nëse Serbia i vendos sanksione…”, ka shkruar Kandiq.

Theksojmë se Serbia dhe Bjellorusia janë vendet e vetme evropiane që nuk i kanë vendosur sanksione shtetit rus pas pushtimit të Ukrainës.

Ndërkohë, Rusia ka bërë të ditur disa herë se do ta shfrytëzonte të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurisë të OKB-së dhe të bllokonte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Anëtarësimin në këtë organizatë e parasheh edhe plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën gjë po e kundërshton partneri i koalicionit të qeverisë së Serbis, SPS i Ivica Daçiqit./Telegrafi/

Exit mobile version