Telegrafi

Kandidati për ambasador të SHBA-së në Beograd: Prioritet gjetja e një zgjidhje të qëndrueshme në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Kandidati për ambasadorin e ri amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, ka thënë të martën se Serbia luan një rol kryesor në stabilitetin rajonal, dhe se nëse bëhet ambasador, përparësi do të jetë normalizimi i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë dhe gjetja e një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.

“Ne po punojmë në Beograd, Prishtinë, Washington dhe Bruksel për të gjetur një mënyrë që Serbia dhe Kosova të vijnë deri tek një zgjidhje, të largohen nga hapat kundërproduktivë që të dy palët po përdorin. Të dy palët duhet të ecin përpara, dhe detyra jonë është ta mundësojmë këtë”, citohet të ketë thënë Godfrey, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Një deklaratë të tillë, ai thuhet ta ketë dhënë në Senat, duke iu përgjigjur një pyetje nga një senator demokrat se çfarë mund të bëhet për t’i bërë Serbinë dhe Kosovën të arrijnë deri te një zgjidhje.

Sipas tij, Serbia është një udhëheqëse politike dhe ekonomike dhe luan një rol kryesor në stabilitetin rajonal, dhe se është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara që ta zhvillojnë Serbinë në një komb modern, demokratik dhe evropian.

“Ne mbështesim integrimin e saj në BE”, ka thënë tutje Godfrey.

Ai tha se pas shërbimit diplomatik në Moskë, është “plotësisht i vetëdijshëm për sjelljen agresive të Rusisë, ndikimin keqdashës dhe fushatën e dezinformatave që po zhvillon në Evropë”, dhe se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të mëdha për ta kundërshtuar atë.

Godfrey ka shtuar se nëse zgjidhet ambasador, do të punonte gjithashtu për të përmirësuar marrëdhëniet e Serbisë me Bosnjë dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kroacinë, por do të vazhdojë të “presion” qeverinë serbe për të përfunduar hetimin për vrasjen e vëllezërve Bytyqi të vitit 1999 dhe të bëjë gjithçka për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit, pavarësisht nga pozita e tyre. /Telegrafi/