Kandidati i Lëvizjes Besa për Komunën e Gostivarit, Asaf Ademi, përmes një postimi në Facebook ka ftuar votuesit e tij që në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbështesin kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Asaf Ademi në garën për Komunën e Gostivarit arriti të sigurojë 3104 vota, ndërsa Arben Taravari mori 11600, ndërsa kryetari i deritanishëm Nevzat Bejta 12095, kështu që në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në garë do të jenë Arben Taravari nga ASH dhe Nevzat Bejta nga BDI, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ademi mes tjerash shkruan se edhepse rezultati ka qenë larg pritshmërive, e gëzon fakti që në Gostivar mbijetoi fryma opozitare.
“Populli gjithmone ka te drejte. Edhe pse rezultati eshte shume larg pritshmerive te mija, me gezon fakti qe ne Gostivar mbijetoi fryma opozitare. Falemnderohem te cdonjeri qe me voten e tij besoi ne vizionin tim.
#elhamdulillah, shume mesime nxora edhe nga kjo sprove. Ashtu sic thash edhe gjate kampanjes, Gostivari ka nevoje ndryshime. Prandaj, i ftoj te gjithe ata qe me perkrahen, ne rundin e dyte te jene ne krah dhe te votojne per kandidatin e ASH Arben Taravari”, shkruan Ademi.
Ndryshe, sipas paralajmërimeve të deritanishme të përfaqësuesve të Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa pritet të ketë bashkëpunim në rrethin e dytë mes dy partive në më shumë komuna, siç janë ajo e Tetovës, Çairit, Strugës dhe tjera./Telegrafi/