Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza për kryetar të Mitrovicës së Jugut dhe përfaqësuesi i Iniciativës Qytetare, Erden Artiq për kryetar të Mitrovicës së Veriut janë takuar sot në orët e mëngjesit për një kafe pune.
Agolli një ditë më parë u kishte bërë thirrje Hamzës dhe Agimit Bahtirit për një kafe pune, por Bahtiri nuk i është përgjigjur ftesës.
Në takimin e sotëm të pranishëm ishin Agolli, Hamza dhe Artiq.
“Përshëndetje z.Hamza dhe z. Bahtiri,
Ju bëj ftesë publike për kafe, që do ta pijmë bashkë nesër në orën 9:00, në veri të Mitrovicës, tek kafeneja e Izet Boletinit. Pjesë e takimit do të jetë
edhe Iniciativa Qytetare, pjesë e së cilës janë përfaqësuesit të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë.
Shpresoj në ardhjen tuaj dhe ju mirëpres në takim”, kishte shkruar Agolli të martën në Facebook.
Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. Shumica e partive politike kanë deklaruar se do të mbajnë fushatë zgjedhore vetëm pesë ditë për shkak të pandemisë COVID-19. /Telegrafi/