Me ftesë të organizatës Eco Guerilla, sot në Tetovë kandidatët për kryetar të Komunës së Tetovës kanë nënshkruar dokumentin “5 përkushtimet ndaj tetovarëve”, i cili kërkon nga kreu i ardhshëm i Komunës së Tetovës që t’u garantojnë qytetarëve se do të jenë transparent në lidhje me menaxhimin e komunës dhe do të kujdesen për ambientin jetësor.
Sipas Eco Guerilla kanë qenë të ftuar të gjithë kandidatët për kryetar në Komunën e Tetovës, ndërsa dokumentin e kanë nënshkruar vetëm Teuta Arifi nga BDI, Adnan Neziri nga Aleanca për Shqiptarët dhe Bardhyl Dauti nga PDSH, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Eco Guerilla vlerëson se pranimi dhe nënshkrimi i këtij dokumenti është shumë domethënës për funkcionimin e demokracisë në vendin tonë, me çka edhe organizatat e shoqërisë civile përfshihen më shumë në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes. Pavarësisht faktit se të gjithë kandidatët që synojnë kreun e Komunës së Tetovës kishin konfirmuar pjesëmarrjen, dokumenti është nënshkruar nga z. Adnan Neziri (ASH), znj. Teuta Arifi (BDI) dhe z. Bardhyl Dauti (PDSH) i cili për arsye konkrete nuk mundi të ishte i pranishëm bashkë më dy nënshkruesit tjerë”, thuhet në njoftimin e Eco Guerilla./Telegrafi/