Site icon Telegrafi

Kandidatët nën llupën e KGJK-së, KQZ kupton nesër për pastërtinë e aplikantëve për zgjedhje

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është drejtuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe institucioneve të tjera lidhur me verifikimin e mbi 4 mijë kandidatëve që synojnë t’i futen garës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Këto institucione kanë afat edhe ditën e nesërme që të japin opinionet e tyre, ndërsa organizata që monitorojnë institucionet e drejtësisë thonë që kandidimi i personave që kanë probleme me ligjin e cenon garantimin se në institucione nuk do të ketë persona që nuk janë me duar të pastra.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, nga hulumtimi i bërë, ka nxjerrë raportin me 10 persona që kanë probleme me ligjin dhe që janë kandidatë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

“Nga publikimi i emrave nga vet subjektet politike apo nga vet kandidatët ne kemi identifikuar 10 raste, pra 10 kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin ose kanë pasur në të kaluarën probleme me ligjin. Nga ky verifikim kemi kuptuar se kemi një rast ku një kandidat për kryetar komune është i dënuar me tri aktgjykime dënuese në tri vitet e fundit, pra kemi tri aktgjykime dënuese me dënim me gjobë, dhe një rast tjetër ku kemi një aktgjykim dënues por që është më i vjetër se tri vite”, thotë Leotrim Gashi, hulumtues në IKD.

Gashi shton se janë nëntë kandidatë me aktakuza aktive, të dënuar apo që aktualisht janë në procese gjyqësore, ndër të tjera edhe të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e që synojnë t’i futën garës për zgjedhjet e 17 tetorit.

“Normalisht që kjo e cenon garantimin se në institucione do të ketë persona që nuk janë me duar të pastra, për shkak se ne e dimë që çdo person i cili akuzohet është i pafajshëm derisa nuk vërtetohet e kundërta, mirëpo me qëllim të një gjykimi sa më të drejtë dhe sa më të paanshëm ku nuk do të ketë asnjë perceptim se një vendim i gjykatës është i lidhur edhe me angazhimin e tij politik dhe angazhimin e tij në një institucion të caktuar, do të ishte më e rrugës që partitë politike të mos kandidojnë persona që kanë probleme e ligjin, ne kemi bërë thirrje që kjo mos të ndodh”, shton Gashi.

Neni 29 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme specifikon se kandidat për zgjedhje nuk mund të jetë një person i shpallur fajtor për vepër penale me vendim përfundimtar nga gjykata në tri vitet e fundit.

“Në këtë nen, njëra nga pikat është që kandidat nuk mund të jetë një person i shpallur fajtor për vepër penale me vendim përfundimtar nga gjykata në tri vitet e fundit, prandaj ne kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të na dërgojë emrat nga lista e kandidatëve, nëse ndonjëri nga kandidatët është i dënuar me vendim përfundimtar për vepër penale nga gjykata në tri vitet e fundit”, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Për të ditur përshtatshmërinë e kandidatëve në raport me këtë nen, KQZ pret përgjigje nga institucionet relevante deri nesër më 24 gusht.

“Në bazë të planit operacional të cilin e ka miratuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presim përgjigje nga këto institucione deri më datë 24 gusht, pra ditën e martë, për të ditur lidhur me përshtatshmërinë e kandidatëve në raport me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme… Pas pranimit të këtyre përgjigjeve nga këto institucione, Zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim do të përgatis rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë kandidati dhe këto rekomandime do t’i paraqes në mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa KQZ më së largu do të vendosë deri më datë 1 shtator”, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në rast të mos certifikimit të ndonjë kandidati, palët mund të paraqesin ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas së cilit çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. i gjithë ky proces pritet të përfundojë më 6 shtator, për t’i hapur pastaj rrugë tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike më 8 shtator.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë kërkuar certifikim 94 subjekte politike dhe numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë subjektet është 4 mijë e 922.

Për verifikimin e secilit prej tyre, KQZ, përveç Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i është drejtuar edhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Doganës së Kosovës.kp/Telegrafi.

Exit mobile version