Site icon Telegrafi

Kandidatët e dikurshëm për president të SHBA-ve kishin pranuar humbjet në zgjedhje, fjalim të ngjashëm pritet të mbajnë Trump ose Biden

Fjalimet e kandidatëve për president që është dashur të pranojnë humbjen në zgjedhjet amerikane, sërish janë rikthyer në rrjetet sociale, shkruan The Guardian.

Shumë përdorues kanë shfrytëzuar rastin t’i krahasojnë me fjalimet e fundit të Donald Trumpit, transmeton Telegrafi.

Pavarësisht se ende nuk dihet fituesi për faktin se nuk ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve, Joe Biden është në avantazh kundër rivalit Donald Trump – ku Demokrati ka 264 vota elektorale e Republikani 214.

Trump vazhdon të deklarojë se një numër i madh i fletëvotimeve janë jo legjitime, dhe se kinse Demokratët i kanë vjedhur votat.

Kujtojmë fjalët e ish-kandidatëve tjerë për president të Shteteve të Bashkuara si John McCain, George Bush dhe Jimmy Carter.

“Kam pasur ndertin t’i telefonoj Barack Obamës dhe t’i urojë që është zgjedhur president i vendit, post ky të cilin që të dy e duam. E respektoj suksesin e tij dhe aftësinë”, pati thënë McCain gjatë vitit 2008, duke u bërë thirrje votuesve të tij të përkrahin Obamën.

Kur George Bush i vjetori humbi në zgjedhjet e vitit 1992, kishte thënë se të gjithë qytetarët amerikanë kanë të njëjtin obligim – që shtetin e tyre ta bëjnë më të sigurtë dhe më të mirë.

“Para nesh kemi shumë punë që duhet t’i kryejmë, kështu do t’i ofrojmë mbështetje presidentit të ri Bill Clinton dhe i dëshiroj fat e lumturi”, pati thënë Bush.

Në garë për presidentin amerikan në vitin 1980, patën marrë pjesë Jimmy Carter dhe Ronald Reagan.

Kur Reagan u shpall fitues dhe u bë president i Shteteve të Bashkuara, Carter pati thënë se vlerëson sistemin që i mundëson qytetarëve të zgjedhin njeriun që do t’i udhëheq gjatë katër viteve të ardhshme.

“Amerikanët kanë zgjedhur, unë e respektoj vendimin e tyre. Katër vite më parë ju kam premtuar se nuk do gënjej, dhe do t’ju mashtroja po të thosha se është shumë e thjeshtë humbja sonte”, pati deklaruar asokohe Carter. /Telegrafi/

 

Exit mobile version