Express raporton se Kandemir e ka veçuar talentin 16 vjeçar si një prej talentëve më të mëdhenj dhe është siguruar që t’ia prishë kontratën katërvjeçare me Prishtinën, për të nënshkruar një kontratë tjetër katërvjeçare me Besiktasin.
Jakupi është lindur në Freiburg të Gjermanisë dhe para pak kohësh me Prishtinën e fitoi Kupën e Kosovës pas finales epike ndaj Pejës.
“Pasi kishte ardhur Kandemir, e kishte veçuar Jakupin si talent të madh, duke e marrë në ekipin e parë të Prishtinës. Ai ia dha rastin Mërgimit në Prishtinë dhe vendosi ta marrë edhe në Turqi”, theksoi një burim brenda klubit të Prishtinës.
Jakupi luan në pozitën 3 dhe ka stërvitur intensivisht në dy vitet e fundit, teksa tani ai do të transferohet te Besiktasi kjo edhe falë angazhimit të Sigal Prishtinës dhe hapësirës që klubi më i madh kosovar i ka dhënë atij në ekipin e parë. /Telegrafi/