Nafije Latifi,
Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA
Sëmundja e kancerit është problem global dhe një ndër sfidat më të mëdha të mjekësisë bashkëkohore, i cili në kontekstin kosovar merr edhe dimensione të tjera, duke filluar nga niveli i ulët i edukimit shëndetësor, pamundësia e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të kompletuar, ballafaqimi me shpenzime të larta të trajtimit e deri tek stigmatizimi.
Të dhënat flasin se përhapja e sëmundjes së kancerit të gjirit në botë, por edhe në vendet e rajonit është vërtet alarmante; mesatarisht atakohet çdo e 8-ta grua gjatë jetës së saj dhe vdekshmëria (nga kjo sëmundje) zë vendin e dytë. Meqë nuk ka të dhëna të sakta, mund të supozohet se edhe femrat e Kosovës nuk janë të kursyera dhe se numri i tyre sillet diku ngjashëm me këto vende. Por, sado e sido që të jetë ky numër, fakti më shqetësues është se këtu zbulimi i sëmundjes bëhet në stade të avancuara, kur trajtimi dhe mbijetesa janë shumë më të kufizuara, dhe për mungesë të kushteve dhe të përkrahjes adekuate institucionale e shoqërore, vështirësitë nëpër të cilat kalojnë gratë e sëmura në Kosovë, janë shumë më të rënda, madje edhe se në vendet fqinje. Dhe, vetëm ato të cilat përballen me këtë problem të rëndë e dinë se sa e vështirë, e mundimshme dhe e kushtueshme është rruga drejt shërimit.
Pas implementimit të programeve kombëtare për luftimin e kancerit të gjirit, vdekshmëria nga kjo sëmundje ka rënë rreth 30 për qind. Por, edhe projektet e mamografive mobile, që ndihmojnë në zbulimin e hershëm të sëmundjes, kur shërimi është i suksesshëm, e kanë shtyrë Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit, që vite me radhë, me mënyra të ndryshme të organizimit, të prezantojë gjendjen e rëndë në Kosovë, dhe t’ia adresojë institucioneve përgjegjëse, me shpresë për më shumë kujdes në diagnostikimin dhe trajtimin më optimal të kancerit të gjirit. Pra, një luftë të përbashkët kundër kësaj sëmundje të rëndë, por me pak sukses!
– Në rrugëtimin e këtyre viteve, kemi bërë shumë përpjekje, bashkë me miqtë tanë të shumtë, ekspertë mjekësorë, Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Rrjetin e Grupeve te Grave, Grupin e Grave Parlamentare,Ministrinë e Shëndetësisë, udhëheqës të komunës së Prishtinës, Grupin e aktoreve, të institucioneve dhe asociacioneve të shumta, të pacienteve të mbijetuara si dhe përfaqësues të mediave elektronike dhe të shkruara, që për problemin e kancerit të gjirit të flitet sa më shumë, në mënyrë që gratë të ndërgjegjësohen – të kenë më tepër kujdes për veten, për shëndetin e tyre…
– Që me gratë e prekura nga kjo sëmundje e rëndë, rreth 200 paciente të reja, të moshave nga 20 vjeç e deri në pleqëri te thellë, të cilat diagnostikohen me kancer të gjirit për çdo vit, dhe, të mijëra të atakuarave – pra një nga 9 ose 10 femrave të Kosovës, si dhe familjarët e tyre – duke i informuar për mundësitë e mjekimit në institucionet publike, ku ofrohet një numër i madh i shërbimeve profesionale, pa pagesë.