Site icon Telegrafi

Kanceri i gjirit është i trajtueshëm dhe i shërueshëm!

Dr Shqiptar Demaçi, kirurg torakal dhe i gjirit

Te gratë, pas kancerit të lëkurës, kanceri më i shpeshtë është kanceri i gjirit. Është sëmundje e diagnostikueshme dhe me sukses e trajtueshme, nëse zbulohet herët e me kohë!

Dr. Shqiptar Demaçi,
Kirurg torakal dhe i gjirit
Tel. 044 307 585

Edhe burrat mund të fitojnë këtë lloj sëmundjeje gjatë jetës (100 fish më rrallë se te femrat), por me ecuri edhe më të rrezikshme, sepse kap shpejt muskulin e gjoksit dhe metastazon.

Disa prej faktorëve të rrezikut:

• Mosha – veçanërisht mbi 55 vjet, shton rrezikun e zhvillimit të paraqitjes së kancerit të gjirit (KGj) prej raportit një në tetë gra, në raportin dy deri tri në tetë gra;
• Gjenet – deri 10% të rasteve me KGj është i trashëgueshëm;
• Mbipesha pas menopauzës, shton gjasat për zhvillimin e kanceri të gjirit me depozitimin e estrogjeneve në indin dhjamor të gjirit, por edhe në rritjen e nivelit të Insulinës në gjak, që ka lidhje me kancer të gjirit;
• Përdorimi i alkoolit – shton gjasat për KGj. Një pije rrit pak rrezikun, por 2 deri 5 pije çdo ditë, janë me shtim rreziku për një herë e gjysmë sesa jopërdoruesit e alkoolit.

Shenjat për kancerin e gjirit

Gandrat nën sqetull ose ënjtja në sqetull janë shenja që duhet konsideruar si paralajmëruese.

Shenjat e hershme:

Gandra në gji
Ënjtja në gji
Skuqja ose tëhollimi i lëkurës së gjirit
Kruajtja ose ndjenja e nxehtësisë në gji
Ndërrimi i formës së majës (thithkës) ose dalie lëngu të kuq a ngjyrë ndryshku nga maja
Më rrallë: maja e gjirit me gërryerje – erozion ose në formë majasëlli

Predispoziat për shfaqjen e kancerit të gjirit:

Gjinia (te femrat 99%);
Mosha e madhe;
Nulliparet (gratë që nuk kanë lindur fëmijë);
Lindjet e vonshme(>35 vjeçare);
Anamneza familjare pozitive (prirje për tumore ne familje, motrat, nëna, hallat, tezet);
Gjenet e pranishme BrCA1 poz. ose BRCA2 poz.;
Pirja e duhanit shton rrezikun për 4%;
Alkooli;
Gjendjet “prekanceroze” – fibromastopatitë e përparuara stadi III.
Ca in situ ductale (Ca intraductale) dhe lobulare; M. Paget (ekzema kronike e thithit – e dyshimtë)
Kontraceptivët hormonalë;
Obeziteti;
Puna e natës:
Zemërimi kronik i ndrydhur, me rënie të imunitetit.

Si të zvogëlohet e të zbulohet me kohë kanceri i gjirit?

Jeta e rregullt (punë-pushim), ushqimi i balansuar, proteina të mjaftueshme, perime, ujë, sa më pak sheqerna e brumëra, mospirje e duhanit e alkoolit, vetëkontroll të gjinjve (por, që nuk e zëvendësojnë mjekun), vizita të rregullta klinike te mjeku kompetent (mjeku i përgjithshëm i trajnuar ose te kirurgu torakal) dhe vizitat e rregullta për ultratingull e mamografi (çdo vit apo çdo të dytin vit)! Por, edhe jetë të pasur sociale: shoqërimi, disponimi, e natyrisht gjene të mira e fat!

Zbulimi i hershëm bëhet me kontrollet klinike dhe radiologjike: Ultratingulli (shumë praktike) e Mamografia, e më rrallë e sipas nevojës Rezonanca magnetike (RMI) apo Tomografia e kompjuterizuar (CT).

Kush e bën marrjen e mostrave nga tumori i gjirit?

Këto procedura i bën mjeku i trajnuar që mund të jetë: kirurgu (senolog – i gjirit) ose torakal a i përgjithshëm, radiologu intervent. Mund të bëhen: marrja e materialit dhe përgatitja e strishos celulare nga sekreti i lëngut që del nga maja e gjirit, marrja e mostrave me gjilpërë të hollë apo të trashë apo edhe intervent i vogël kirurgjik për marrjen (biopsia) e një cope të mjaftueshme për ta dërguar për analizë histopatologjike nga specialisti: patologu.

Nëse konfirmohet diagnoza: kancer i gjirit atëherë kolegjiumi i udhëhequr nga kirurgu e onkologu, vendos me cilën metodë trajtuese: kirurgjike apo onkologjike.

Trajtimi kirurgjik konsiston në heqje të gandrës dhe heqje të nodeve limfatike nga sqetulla e përfshirë, apo heqje e përsëritshme e një pjese të gjirit apo e tërë gjirit – mastektomia, e që jorrallë vazhdohet me rikonstruksion të saj (onkoplastika) me apo pa implante.

Trajtimi onkologjik konsiston në marrjen e barnave të përshkruara nga onkologu (kimioterapia) si dhe terapia me rrezatim: radioterapia.

Lexo po ashtu Kanceri i gjirit, vrasësi “sekret”

Në Klinikën e Kirurgjisë (departamentin torakal) zbatohen të gjitha metodat diagnostikuese e trajtuese. Trajtueset fillojnë nga biopsia ekscizionale ose lumpectomy, mastektomia segmentale (kuadranti) apo parciale e deri te mastekomia (heqja e gjirit) e thjeshtë apo radikale e modifikuar (gjiri me kancer + nodet e sqetullës)!

Bëhen edhe operacione estetike: zvogëlim gjiri apo futje implanti silikonik (zëvendësim i gjirit të hequr nga kanceri)!

Trajtimi i kancerit të gjirit, kërkon bashkëpunim të ngushtë të kirurgut, onkologut, radiologut, patologut, kimioterapeutit, radioterapeutit, psikologut, ekspertëve për trajtimin e dhimbjes te format metastatike.

Në Kosovë specialistët tanë, kirurgët kompetentë për gjirin janë kirurgët torakalë, ku brenda vitit kryejnë rreth 300- 400 operacione të problematikave me kancer të gjirit. Problematikat e tjera jokanceroze kapin shifrat e mbi 1000 sosh! Punohet në institucionet publike si dhe në ato private. Lista jonë e pritjes është e shkurtër. Sa i përket trajtimit kirurgjik të sëmundjeve kanceroze të gjirit, pas diagnostikimit, në institucionet publike operohen brenda dy – katër javësh, që është pritje shumë e vogël.

Mbijetesa varet nga zbulimi i hershëm dhe fillimi i hershëm i trajtimit. Me zbulim të hershëm arrihet mbijetesë më e lartë dhe jetë më e gjatë e jetë më kualitative. /Telegrafi/

Exit mobile version