Telegrafi

Kancelari Scholz dëshiron që 80 për qind e gjermanëve të marrin dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 deri më 7 janar

Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka vendosur qeverisë së tij objektivin ambicioz për të arritur një shkallë të vaksinimit kundër coronavirusit në Gjermani prej 80 për qind deri më 7 janar.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, objektivi i referohet vaksinimeve për herë të parë, sipas zëdhënësit të qeverisë Steffen Hebestreit.

Aktualisht, 61.2 milionë njerëz në Gjermani janë vaksinuar të paktën një herë, që përbën 73.6 për qind të popullsisë së përgjithshme.

Për të arritur 80 për qind, megjithatë, 5.3 milionë njerëz të tjerë do të duhet të marrin dozën e tyre të parë të vaksinës deri më 7 janar.

Në atë datë, Scholz planifikon të zhvillojë diskutimet e radhës për luftën kundër pandemisë së coronavirusit me kryeministrat e shteteve gjermane.

Shkalla e vaksinimit në Gjermani ka mbetur prapa asaj të disa vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

Deri të martën, 70.4 për qind e popullsisë kishte marrë numrin e rekomanduar të dozave për mbrojtje fillestare.

Të paktën 32.6 për qind kanë marrë tashmë një injeksion përforcues.

Shkalla e incidencës shtatëditore në Gjermani të infeksioneve të reja për 100,000 banorë ra të mërkurën, sipas Institutit Robert Koch (RKI), i cili raportoi një vlerë prej 289 të mërkurën, nga 306.4 të martën dhe nga 353 javën e kaluar dhe nga 386.5. muajin e kaluar.

Që nga fillimi i pandemisë, RKI ka numëruar 6,878,709 infeksione të vërtetuara, 5,933,400 njerëz të shëruar nga një infeksion dhe gjithsej 109,324 vdekje. /Telegrafi/