Site icon Telegrafi

Kancelari Kurz flet për të plagosurit në shpërthimin e Ferizajt: Austria do të ndihmojë kur është e nevojshme

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka thënë se vendi i tij as që e vë në diskutim kur bëhet fjalë për të ndihmuar vendet tjera.

Këto komente ai i bëri kur u pyet në lidhje me dy pacientët kosovarë që u dërguan në Grac të Austrisë për t’u trajtuar pas djegieve që pësuan nga shpërthimi i gazit në Ferizaj ditë më parë.

“As që vihet në diskutim ndihma e Austrisë kur është e nevojshme, gjithmonë”, tha ai, raporton “Nachrichten”, përcjell Albinfo.ch.

“Për shembull, pranverën e kaluar ofruam ndihmë mjekësore për pacientët me COVID-19 nga Ballkani Perëndimor në Austri dhe përgjatë vitit ne vazhdimisht ofruam mbështetje, si për shembull në formën e pajisjeve mjekësore”, deklaroi Kurz.

Kurz u kritikua vitin e kaluar pasi ai akuzoi të kthyerit nga Ballkani Perëndimor dhe Kroacia se ishin përgjegjës për shkallën e infeksionit në Austri në lidhje me pandeminë e koronavirusit.

Ndërkaq, gjatë ditës, edhe Ministria e Jashtme austriake, përmes një deklarate për media, tha se një aeroplan transporti i ushtrisë (C130-Hercules) ka dërguar në Grac të shtunën pasdite dy të plagosurit rëndë.

Njoftohet se dy burrat (1985 dhe 1991) tani po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gracit, shkruan “Nachtrichten”. Përmes një postimi në Facebook, ministria e Jashtme e Austrisë ka thënë se Ballkani është në fokus të Austrisë dhe është e natyrshme që të përkrahen shtetet e rajonit në këso urgjencash.

“Pas një eksplodimi të madh të gazit në qytetin e Ferizajt me mbi 40 të lënduar, Kosova ka kërkuar ndihmën e Austrisë. Një bashkëpunim i ngushtë me shtetet e Ballkanit Perëndimor është në fokus të politikës së jashtme austriake. Është e natyrshme që ne të ndihmojmë në emergjenca të tilla”, ka thënë ministri i jashtëm austriak, Alexander Schallenberg.

Rastin e ka komentuar edhe ministrja austriake e Mbrojtjes, Klaudia Tanner, duke theksuar përkushtimin e vendit të saj në Ballkan. “Ne jemi stacioniar me ushtarët tanë në Kosovë që nga viti 1999 dhe kemi lidhje të ngushta me popullatën lokale. Veçanërisht në këtë kohë të vështirë me pandeminë COVID-19, po i mbështesim partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor si pjesë e shërbimeve solidare të politikës sonë të jashtme”.

Po ashtu, edhe Këshilltarja e Shëndetësisë në landin Styria, Juliane Bogner-Straus, tha: “Styria po mbështet dy të lënduar rëndë duke iu falënderuar aftësive dhe mundësive që disponon”.

Në Austri janë dy qendra speciale për trajtimin e djegieve të rënda. Njëra nga to është e Spitalit Universitar të Gracit, kur edhe janë dërguar dy pacientët e Kosovës./albinfo.ch/

Exit mobile version