Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, reaguan menjëherë ndaj deklaratave të zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, lidhur me demokracinë evropiane, duke i cilësuar ato të papranueshme.
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih, Vance deklaroi se demokracia dhe liria e shprehjes mungojnë në Evropë, një qëndrim që hasi kundërshtimin e fortë të kreut të qeverisë gjermane.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime mbi çështjen e emigracionit, duke argumentuar se vendet evropiane e kanë nënvlerësuar ndikimin e emigracionit masiv.
Scholz e kundërshtoi ashpër këtë deklaratë, duke shkruar në platformën X, “I refuzoj në mënyrë të prerë qëndrimet e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Munih”.
As a strong democracy we are very clear: The extreme right should be out of political decision making processes.
We reject any idea working together with the extreme right and its not on others to give us advices to do so.
— Bundeskanzler Olaf Scholz (@Bundeskanzler) February 15, 2025
Ai theksoi se përvojat nga nacional-socializmi kanë krijuar një konsensus të fortë mes partive demokratike gjermane kundër ekstremizmit të djathtë.
Nga ana tjetër, Pistorius e akuzoi Vance për vënien në dyshim të demokracisë evropiane. “Ai flet për shkatërrimin e demokracisë dhe, nëse e kam kuptuar drejt, po e krahason situatën në disa vende të Evropës me regjime autoritare… Kjo është e papranueshme”, tha ai.
Duke iu referuar partisë ekstremiste të djathtë AfD, e cila renditet e dyta në sondazhet gjermane, Pistorius ironizoi pretendimin e Vance se liria e fjalës po pengohet. “Demokracia do të thotë që edhe partitë si AfD mund të bëjnë fushatë normalisht, si çdo subjekt tjetër politik”, theksoi ai.
“Por demokracia nuk nënkupton që një pakicë që bërtet më shumë ka gjithmonë të drejtë dhe përcakton të vërtetën”, përfundoi ministri gjerman i Mbrojtjes.
Ndryshe, Vance ka pasur takim edhe me zyrtarët e partisë së djathtë ekstreme, AfD. /Telegrafi/