Kanarina Kovanxhiu, një këngëtare dhe flautiste e vogël nga Prishtina, po fiton zemrat e publikut me talentin e saj të jashtëzakonshëm. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ajo ndau emocionet e suksesit në festivalet e fëmijëve dhe planet e saj për të ardhmen.
“Deri tash unë kam marrë pjesë në festivalin LyraFest, por kam marrë pjesë edhe në korin e shkollës. LyraFest është çmimi i parë që e kam marrë prej një festivali,” tregon Kanarina me krenari. Ajo kujton me emocion performancën e saj të veçantë në këtë festival, ku përdori tingujt magjikë të flautës për të krijuar një përvojë unike muzikore. “Në LyraFest e kam kënduar një këngë që tema është me flautën, domethënë flautën e kam përdorur si kanarinë edhe për veten time”.
Kanarina ka nisur të mësojë flautën vetëm dy vite më parë, por e ka bërë të qartë se ky instrument është pasioni i saj i madh. “Flauta i ka shumë tinguj të ëmbël dhe ka pak artistë që e përdorin këtë instrument,” shpjegon ajo, duke shtuar se aspiron të bëhet një flautiste dhe këngëtare profesioniste.
Ndër artistët që e inspirojnë, Kanarina përmend emra të njohur si Dua Lipa, Rita Ora dhe Rame Lahaj. E talentuara e vogël aktualisht ndjek mësimet në shkollën fillore “Ismail Qemaili” dhe gjithashtu studion në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë.
Si çdo fëmijë, edhe Kanarina ka pasur ëndrra të ndryshme. “Kur kam qenë më e vogël, kam dashur të bëhem piktore pasi kam vizatuar shumë,” thotë ajo me buzëqeshje, duke kujtuar kohën kur vizatonte në gota, mure dhe dysheme. Por pasioni për muzikën e udhëhoqi në një drejtim tjetër. “Kur kam zgjedhur muzikën, krejt familja ime kanë menduar që do të bëhem muzikante”.
E pyetur për planet e saj, Kanarina shpreh një dëshirë të madhe: “Ëndrra ime është që të shkoj në një festival mbarëkombëtar dhe të zë vendin e parë”.
Kanarina Kovanxhiu është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit dhe talentit të hershëm. Me pasionin që ka për muzikën dhe mbështetjen e familjes dhe mësuesve të saj, e ardhmja duket plot dritë për këtë yll të vogël. /Telegrafi/