“Ne e blemë atë, paguam për të, e ndërtuam atë, dhe synojmë ta mbajmë”.
Tema ishte Kanali i Panamasë, folësi ishte kandidati për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan, në marsin e vitit 1976.
Një vit më pas, megjithatë, presidenti Jimmy Carter nënshkroi marrëveshje për t’ia dorëzuar Panamasë kontrollin e rrugës vitale ujore.
Gjysmë shekulli pasi debati mbi pronësinë e tij lëkundi për herë të parë Uashingtonin, çështja është aktualizuar përsëri, teksa presidenti në ardhje i SHBA-së, Donald Trump, sinjalizoi synimin për ta rimarrë kanalin e rëndësishëm, duke pohuar se Kina “praktikisht e ka marrë atë në dorë”.
Kanali aktualisht administrohet nga Panamaja, por Matthew Parker, autor i një libri për rrugën e famshme detare, thotë për Radion Evropa e Lirë se “kompanitë kineze kanë hise kontrolluese në portet në të dyja anët e Kanalit të Panamasë”.
Kjo, shprehet ai, është pjesë e një trendi më të gjerë, në të cilin Pekini “po zgjeron interesat e tij në infrastrukturën detare ndërkombëtare” në mbarë botën, përfshirë “edhe në ‘oborrin’ jugor të Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër pohim nga Trumpi, se Shtetet e Bashkuara kanë humbur “38.000 njerëz nga malaria” gjatë ndërtimit të kanalit, sipas Parkerit, e nënvlerëson rolin tragjik të një vendi tjetër në origjinën e rrugës detare.
Prej shekujsh, detarët kishin kërkuar një shkurtore që do ta lidhte Oqeanin Paqësor dhe atë Atlantik përmes istmit të Panamasë, për të shmangur rrugën e mundimshme përreth skajit të Amerikës jugore.
Më 1881, i frymëzuar nga suksesi i Kanalit të tij të Suezit, diplomati francez, Ferdinand de Lesseps, nisi zyrtarisht punën për ndërtimin e Kanalit të Panamasë.
Rruga do të shkurtonte për rreth 60 për qind largësinë detare ndërmjet brigjeve lindore dhe perëndimore të Amerikës.
De Lesseps grumbulloi ekuivalentin e miliarda dollarëve të sotëm për projektin, para të përdorura pjesërisht për të paguar gazetarë dhe politikanë për të rritur mbështetjen publike dhe për të inkurajuar investimet.
Por, plani francez për të hapur një kanal në nivel deti nëpër Panama ishte i prirë të dështonte që në nisje.
Punëtorët arritën në një istëm tropikal të kapluar nga varfëria, trazirat politike dhe sëmundjet. Në një kohë kur sëmundjet besohej se përhapeshin nga “avujt” misteriozë, fajtorët e vërtetë – mushkonjat – zbarkuan.
Në kulmin vdekjeprurës të përpjekjes franceze, rreth dyzet punëtorë vdisnin çdo ditë, shumica nga ethet e verdha apo malaria.
Punëtorët e papërvojë u gjetën kryesisht në Karaibe, por kostoja njerëzore e projektit francez u ilustrua më së dhimbshmi nga historia e kryeinxhinierit të tij, Jules Dingler.
Francezi mori me vete në Panama familjen e vet dhe pa sëmundjen t’ua marrte jetën njërit pas tjetrit, vajzës së tij, të fejuarit të vajzës së tij dhe djalit të tij.
Kur kompania ndërtuese franceze përfundimisht dështoi më 1889, qindra mijëra investitorë humbën kursimet e tyre në atë që ishte një prej skandaleve më të mëdha financiare në histori.
Francezët në largim lanë prapa shumë pajisje, si dhe mbetjet mortore të rreth 20.000 punëtorëve.
Një dekadë pas katastrofës franceze në Panama, Theodore Roosevelt u zgjodh president i SHBA-së.
I nxitur nga një besim se Shtetet e Bashkuara duhet t’i dominojnë valët ekonomikisht dhe ushtarakisht, presidenti i 26-të kërkoi që SHBA-ja të vazhdojë aty ku e la Franca.
Kur negociatat për një koncesion për kanalin ndërmjet SHBA-së dhe Kolumbisë – provincë e së cilës ishte Panamaja – ngecën më 1903, revolucionarët panamezë të mbështetur nga SHBA-ja u shkëputën nga Kolumbia, teksa luftanijet amerikane qëndronin në gatishmëri larg brigjeve.
Uashingtoni njohu menjëherë shtetin e ri, ndërsa pasoi një marrëveshje për ndërtimin e një kanali nëpër Panama.
Në vend se të hapnin një rrugë në nivel deti nga bregu në breg, siç ishin munduar francezët, inxhinierët amerikanë zgjodhën ta përmbysnin qendrën e istmit të Panamasë, duke ndërtuar një pendë në lumin Çagres.
Liqeni artificial do të qëndronte 26 metra mbi nivelin e detit, kurse një varg zinxhirësh do t’i ngrinin anijet lart deri në liqen, e më pas do t’i zbritnin ato në nivelin e detit në skajin tjetër.