Kanadaja do të lejojë ekstradimin e shefes së financave të kompanisë ‘Huawei’, Meng Wanzhou, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por gjithsesi gjykata do të thotë fjalën e fundit.
Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i drejtësisë ngriti disa akuza penale kundër kompanisë “Huawei”, të cilat përfshijnë mashtrimin bankar, pengimin e drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile.
Meng Wanzhou, që njëherit është edhe vajza e themeluesit të kësaj kompanie kineze, u arrestua në Kanada me kërkesë të Amerikës për shmangie te sanksioneve kundër Iranit.
Pas njoftimit për mundësinë e ekstradimit, ka reaguar edhe ambasada kineze në Kanada që është shprehur e pakënaqur, ndërsa vijon ta quajë arrestimin e Wanzhou si politik.
Departamenti i Drejtësisë kanadeze kishte mundësi deri dje që të vendoste nëse çështja e ekstradimit t’i kalonte gjykatës, përcjell KosovaPress.
Tashmë gjykata do të shqyrtojë kërkesën e SHBA-ve bazuar në traktatin mes këtyre dy vendeve për ekstradim dhe nuk pritet refuzimi i kërkesës.
SHBA-të kanë shprehur shqetësim se qeveria kineze mund të përdorë teknologjinë e “Huawei” për spiunim, por kjo kompani ka mohuar të tilla pretendime duke thënë se nuk kontrollohet nga qeveria.