Telegrafi

Kanada ia ndalon Djokovicit pjesëmarrjen në ‘Canadian Open’ për shkak të statusit të vaksinimit

Tenisti serb, Novak Djokovic nuk do të luajë në turneun ‘Canadian Open’, i cili do të zhvillohet nga datat 5-14 gusht në Montreal.

Ndërsa Tenis Canada nuk raportoi arsyet e tërheqjes, mendohet se lidhet me faktin se Djokovic mbetet i pavaksinuar kundër COVID-19 dhe Kanadaja kërkon që të gjithë të huajt që mbërrijnë në vend të vaksinohen për të shmangur një periudhë karantine 14-ditore.

Javën e kaluar, Djokovic tha në llogarinë e tij në Twitter se ishte i bindur se do të ishte në gjendje të luante në US Open, i cili do të luhet në Nju Jork midis 29 gushtit dhe 11 shtatorit.

Por, SHBA-ja aktualisht kërkon që njerëzit që mbërrijnë në vend të vaksinohen kundër coronavirusit, kështu që pjesëmarrja e numrit 6 të botës nuk është aspak e garantuar.

Serbi ka thënë vazhdimisht se nuk do të vaksinohet kundër coronavirusit.

Pasi fitoi Wimbledonin, Djokovic përsëriti se nuk do të vaksinohej për të lehtësuar pjesëmarrjen e tij në US Open ose turne të tjera.

“Personalisht, nuk kam asnjë shpresë. Nuk besoj se presidenti Joe Biden do të ndryshojë rregullat përpara fillimit të turneut”, ka thënë trajneri i Djokovicit, Goran Ivanesic.

Ivanesic e cilësoi politikën aktuale si të pakuptimtë

“Nëse je i vaksinuar por pozitiv, mund të hysh në Shtetet e Bashkuara, por je i ndaluar nëse nuk je i vaksinuar dhe je negativ. Ka shumë politikë në botën e sportit”, përfundoi trajneri i tenistit serb.

Në pamundësi për të luajtur në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara, Djokovic ka të ngjarë të kthehet në fusha në muajin shtator për të luajtur në Kupën Davis në Valencia. /Telegrafi/