Telegrafi

Kampioni i peshave të rënda të UFC-së, Francis Nganou ka filluar përgatitjet për meçin ndaj Jon Jones

Francis Ngannou, ka filluar të stërvitet sërish, ndërsa i afrohet kthimit nga lëndimi përpara luftës së mundshme me Jon Jones.

Kampioni i peshave të rënda të UFC nuk ka ‘luftuar’ që kur mposhti Ciryl Gane me vendim unanim për të mbrojtur rripin e tij në janar të këtij viti.

Ngannou pritej të ishte jashtë aksionit rreth 9-12 muaj pasi iu nënshtrua një operacioni në gju që ai e dëmtoi përpara UFC 270 në fillim të vitit, gjë që i dha atij një kohë të konsiderueshme për të negociuar me UFC-në pas skadimit të kontratës së tij të fundit.

Përkundër faktit se ai ende nuk ka ri-nënshkruar me UFC-në, Ngannou po vazhdon përgatitjet e tij për një luftë MMA.

36-vjeçari ngarkoi një video të tij duke shkelmuar një jastëk ndërsa mbante një mbajtës gjuri dhe shtoi mbishkrimin: “Ngadalë duke u kthyer në goditje, ndihet shumë mirë”.

Lufta e parë e kampionit të peshave të rënda mund të jetë një nga luftimet më të mëdha në historinë e UFC-së, pasi ai pritet të jetë kundërshtar i mundshëm për debutimin e Jon Jones në peshën e rëndë. /Telegrafi/