Trepça ’89 ka arritur fitore të lehtë në përballje me Vëllaznimin 3-0.
Kampioni në fuqi i Kosovës rrezikoi qysh në minutën e dytë me Ilir Izmakun por që goditja e tij me kokë shkoi mbi portë.
Vëllaznimi u kundërpërgjigj me Besnik Krasniqin që gjuajti nga distanca por nuk ishte i saktë.
Për të parë golin e parë në këtë takim u desh të pritej minuta e 36.
Shend Kelmendi depërtoi bukur dhe harkoi për sulmuesin nigerian Oto John i cili shënoi me kokë për epërsinë e 89-shit.
Disa minuta më vonë Hajdari nuk arriti në fund të asistoi për John që ishte krejtësisht i vetëm.
Me epërsinë minimale të mitrovicasve përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
‘Minatorët’ e nisën më mirë edhe pjesën e dytë ku edhe shënuan golin e dytë në minutën e 70-të.
Ishte qendërmbrojtësi Lapidar Lladrovci që shënoi pas tentimit të tij të dytë.
Tetë minuta më vonë sulmuesi nigerian, Oto John realizoi golin e dytë personal në këtë takim dhe të tretin për 89-shin.
Pas kësaj fitore, Trepça ’89 ngjitët në pozitën e katërt në tabelë me 43 pikë të tubuara.
Ndërkohë Vëllaznimi mbetet në vendin e nëntë me 35 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, kampioni në fuqi luan në udhëtim te Gjilani.
Ndërkohë Vëllaznimi do të luaj përsëri si mysafir ku kësaj radhe takohet me Flamurtarin. /Telegrafi/