Site icon Telegrafi

Kampioni i ri është Peja!

Salla Karagaçi ishte mbushur përplot me rreth tre mijë “Shqiponja” të cilët krijuan një atmosferë impozante gjatë tërë takimit.

Çereku i parë filloi me një ritëm të shpejtë të të dyja palëve. Pejanët bombarduan me tre pikësha, por prishtinasit ua kthenin menjëherë me aksione të shpejta dhe të përfunduara me sukses, gjë që ua siguroi atyre epërsinë prej një pike, 23-24.

Në çerekun e dytë pati një rënie rapide në lojën e Sigal Prishtinës të cilët u dominuan nga vendasit e pandalshëm. Peja e kontrolloi në tërësi këtë çerek dhe krijoi epërsi të lartë prej 18 pikëve, 55-37.

Peja edhe në çerekun e tretë luajti shumë më mirë, këtë e ndihmoi edhe largimi nga loja e Akida McLainit i cili u lëndua dhe nuk mundi ta vazhdojë më lojën. Peja e ruajti epërsinë e lartë të saj, 70-55.

Në çerekun e katërt pejanët e lëshuan pak ritmin e lojës dhe i mundësuan bardhekaltërve që të afrohen pak në rezultat, por prapë se prapë e administruan shumë mirë ndeshjen deri në sekondat e fundit për t’u shpallur kampion pas nëntë vitesh. Rezultati përfundimtar i takimit ishte 84-73.

Pas përfundimit të ndeshjes në mes të fushës u improvizua shpejtë një skenë ku u ndanë medaljet e argjendta për Sigal Prishtinën, ndërsa ato të artat për Pejën. Kupa e BKT Superligës për këtë edicion iu dhurua kapitenit të Pejës, Valdet Grapcit, nga sponsori gjeneral i kësaj lige.

Koshashënuesit më të mirë të Pejës
1 Dardan Berisha 30 pikë
2 Samir Shaptahoviq 25 pikë
3 Gerti Shima 7 pikë
4 Alban Veseli 7 pikë

 

Koshashënuesit më të mirë të Sigal Prishtinës
1 Granit Rugova 20 pikë
2 Fisnik Rugova 17 pikë
3 Julian Terrell 11 pikë
4 Akida McLain 11 pikë

 

/Telegrafi/

Exit mobile version