Edhe pse bënte vapë e madhe në kryeqytet, në tribunën e lindjes nuk munguan Plisat, të cilët gjatë tërë takimit e mbështetën skuadrën e tyre me brohoritje të vazhdueshme. Në anën perëndimore kishte ardhur një grup i vogël i Ujqërve nga Ferizaj gjithashtu.
Prishtina siç edhe i ka hije një kampioni e nisi shumë më mirë dhe me stil pjesën e parë. Liridon Latifi pati disa goditje të rrezikshme në portë por asnjërën nuk e dërgoi në rrjetë.
Pas një gabimi trashanik të mbrojtësit Dardan Jashari, i vetmuar para portës doli kapiteni bardhekaltër, Driton Krasniqi, i cili shënoi golin e epërsisë për Prishtinën (16’).
Mysafirët rrallë shfaqeshin në zonën e vendasve, dhe asnjëherë nuk arritën të krijojnë diçka që ia vlen të përmendet, ndërsa prishtinasit vazhdonin me presionin e tyre deri sa përfundojë pjesa e parë.
Pjesa e dytë i takoi krejtësisht skuadrës së Afrim Tovërlanit, të cilët patën shumë raste për ta ngritur epërsinë, e në veçanti Berat Hyseni i cili debutoi në pjesën e dytë. Ky i fundit i humbi tri raste të shkëlqyeshme për të shënuar dhe kjo gjë nuk e kënaqi aspak trajnerin e tij, që e qortonte nga vija anësore.
Heroi i këtij takimi definitivisht ishte portieri bardhekaltër, Kushtrim Mushica, i cili bëri një pritje fantastike në minutën e 89-të për t’ia siguruar fitoren skuadrës së tij.
Edhe pse e fituan këtë ndeshje, bardhekaltërit duhet të punojnë shumë për ta komponuar skuadrën e tyre të re, sepse janë larg asaj që e fitoi kurorën e dyfishtë edicionin e kaluar. /Telegrafi/