Kampioni belg në Taekwondo, Murad Lahr, ka deklaruar se për vite me radhë nuk ka pasur asnjë kontakt më vëllanë e tij Najim, për të cilin thuhet se të martën ka kryer sulm vetëvrasës në aeroportin e Brukselit.
“Jemi duke u munduar të vazhdojmë jetën”, ka deklaruar Lahr, duke e distancuar veten nga vëllai i tij terrorist, transmeton Telegrafi.
Murad tha se familja e tij nuk kishte pasur asnjë kontakt me Najim që nga viti 2013, kur edhe u largua për në Siri.
Kontaktin e fundit që e kishin pasur me të ishte një thirrje telefonike, me të cilën i kishte njoftuar prindërit se ka mbërritur në Siri.
Ai pranoi se familja e tij, menjëherë e kishte raportuar rastin tek autoritet se Najim ka shkuar në Siri.
Pas sulmit në Paris në nëntor të vitit të kaluar ku u vranë 130 persona, policia belge kishte kontrolluar shtëpinë e familjes së tij, pasi emri i Najim ishte shfaqur në listën e terroristëve të kërkuar.
Sipas tij, policia belge i kishte kontaktuar vetëm pas sulmeve në Bruksel.
Murad theksoi se ka organizuar një konferencë për shtyp, në mënyrë që gazetarët të mos i shqetësonin më në shtëpi duke kërkuar përgjigje.
Një zyrtar i federatës belge të Taekwondo, ku është mbajtur konference për media, ka deklaruar se Federata e mbështet plotësisht Murad-in. /Telegrafi/