Telegrafi

Kampionët luajnë baras – Franca kualifikohet si lider, Portugalia nga vendi i tretë

(Foto: Screenshot/Twitter/Goal/S)

Me rezultat të barabartë (2-2) është mbyllur sfida e fundit grupore e ‘Euro 2020’ ndërmjet Portugalisë dhe Francës që u zhvillua në Puskas Arena.

Padyshim se vëmendja e gjithë futbolldashësve ishte në Puskas Arena, ku luajtën kampioni evropian dhe kampioni botëror.

Me rezultat të barabartë (1-1) u mbyll pjesa e parë, në të cilën protagonistë ishin Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.

(Foto: Twitter/Uefa Euro 2020)

Portieri Hugo Lloris e grushtoi Danilon dhe gjyqtari vendosi për njëmbëdhjetëmetërsh. I saktë nga pika e bardhë ishte njeriu i rekordeve, Cristiano Ronaldo (31’).

Në minutat shtesë u akordua penallti edhe për francezët, të cilën e konvertoi në gol Karim Benzema (45’+2).

(Foto: Twitter/CBS Sport Golazo)

Edhe në fraksionin e dytë të lojës, protagonistë ishin të njëjtit emra – Benzema dhe Ronaldo.

Me të filluar pjesa e dytë (47’) Franca gjeti golin sërish. Paul Pogba me një pasim të bukur e vë para portës Benzeman, i cili me një goditje të shkëlqyer shënoi për përmbysjen e rezultatit.

(Foto: Screenshot/Twitter/Sic)

Nuk vonoi reagimi i CR7, i cili nxori një penallti dhe më pas e konvertoi në gol (60’) nga pika e bardhë.

Pas dramës në ndeshjet e fundit në Grupin F, nga vendi i parë kualifikohet Franca (pesë pikë), nga vendi i dytë Gjermania (me katër pikë) dhe Portugalia nga vendi i tretë (katër pikë). /Telegrafi/