Telegrafi

Kampionët fillojnë nga e para

Ndeshja e zhvilluar të dielën në Old Trafford, ndërmjet Manchester United dhe Birmingham City, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat minimal prej 1-0.

Djajtë e Kuq ishin skuadër dukshëm më e mirë në fushë sesa kundërshtari i tyre, megjithatë kohë pas kohë, ata u rrezikuan nga lojtarët e Birminghamit, të cilët patën disa raste të mira shënimi.

Të vetmin gol në ndeshje e shënoi, Wayne Rooney (34’), i cili ishte padyshim njëri nga lojtarët më të mirë në këtë përballje.

Në këtë ndeshje të Ligës Premier, me fanellën e Manchester Unitedit debutoi transferi i sivjetmë Michael Owen, i cili pati një rast shumë të mirë në minutat shtesë të ndeshjes (90’+3), mirëpo dështoi të shënonte përballë portierit Joe Hart.