Site icon Telegrafi

Kampionati turk u ndërpre për shkak të tij, tani ai përballet me 13 vite burg

Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat ndaj tij, Faruk Koca, deri para pak kohësh president i klubit turk, Ankaragucu, mund të dënohet me 13 vjet burg.

Para trupit gjykues, Koca shprehu keqardhjen për sulmin ndaj Halil Umut Meler, gjyqtarit të ndeshjes mes Ankaragucu dhe Rizespor.

Kujtojmë se pasi u fut në fushë, në fund të ndeshjes, ai goditi me grusht në kokë arbitrin, i cili më pas ra në fushë dhe iu nënshtrua një sulmi fizik shtesë nga huliganët vendas, të cilët e lënduan rëndë. Kampionati turk është ndërprerë për gati dy javë për shkak të këtij incidenti dhe gjyqtari i sulmuar ka pësuar lëndime të rënda në kokë.

Lexo po ashtu Pas lirimit nga spitali, gjyqtari turk zbulon për herë të parë se kush e nxiti presidentin e Ankaragucu ta godiste me grushte dhe shqelma

Koca u largua nga zyra e presidentit të Ankaragucu në ditët pas incidentit. Ai shprehu keqardhjen për sulmin, por gjithashtu mohoi që të ketë kërcënuar me vdekje gjyqtarin Meler, për të cilin edhe akuzohet. Koca u ndalua menjëherë dhe u mor në pyetje, por u la i lirë me kusht.

“Ka qenë hera e parë në jetën time që jam përfshirë në konflikt fizik, por një pjesë e akuzës nuk është e vërtetë”, deklaroi ai fillimisht.

“Gjyqtarin Meler nuk e kam kërcënuar për ta vrarë. Më herët kam shprehur keqardhje për aktin tim, tani shpreh keqardhjen në gjykatë”, shtoi Koca, gjykimi i të cilit pritet të vazhdojë në fund të shkurtit. /Telegrafi/

Exit mobile version