Telegrafi

Kampionati evropian i peshëngritjes zhvendoset në Shqipëri pas mosmarrëveshjeve në Bullgari

(Foto: Screenshot/SS)

Një mosmarrëveshje për kreun e federatës të peshëngritjes në Bullgari ka detyruar Federatën Evropiane të Peshëngritjes ta ndryshojë datën dhe vendit e zhvillimit të Kampionatit Evropian të vitit 2022.

Kampionati është zhvendosur nga data tradicionale në prill për në fund të majit dhe do të organizohet nga kryeqyteti shqiptar Tirana në vend të Sofjes, Bullgari.

Sipas portalit britanik Inside the Games, vendimi u mor dje nga Bordi Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Peshëngritjes për shkak të pasigurisë mbi situatën në Bullgari, e cila u cilësua nga presidenti i federatës Antonio Conflitti si “kaos”.

Ky është një tjetër zhvillim i rëndësishëm për peshëngritjen shqiptare gati dy muaj pasi peshëngritësi shqiptar Briken Calja, i katërti në botë në Olimpiadën e fundit, u shpall kampion bote në stilin e shkëputjes në peshën deri 73 kilogramë.

Lajmin për organizimin e kësaj gare prestigjioze në Shqipëri e ka konfirmuar presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, si dhe presidenti i federatës së peshëngritjes, Elez Gjoza.

“Janë aktivitete që Shqipëria si ka marrë kurrë më parë. Federata jonë më elitare zhvillon kampionatin Evropian në maj, zhvillon në tetor kampionatin botëror për U-23 dhe U-21, si dhe zgjedhjet për presidentin e federatës botërore të peshëngritjes, ku pjesëmarrës janë 115 presidentë”, është thënë në deklaratën e tyre.