Site icon Telegrafi

Kampionati belg bëhet i pari në Evropë që përfundon para kohe, caktohet kampioni dhe skuadrat që dalin në Evropë

Sezoni 2019/20 në elitën e futbollit belg ka përfunduar para kohe për shkak të pandemisë Covid-19.

Bordi i Federatës së Futbollit të Belgjikës ka marrë vendim që të përfundojë ky stinor, edhe pse ky vendim duhet të votohet në asamble, por kjo do të jetë vetëm një formalitet.

Kësisoj FFB ka vendosur që ta shpall Club Brugge si kampion të këtij edicioni në Pro League.

Club Brugge

Ndërkohë në pozitën e dytë e ka mbyllur KAA Gent, që ishte ndjekësi më i afërt i Brugge në 29 javët e zhvilluar në elitën e futbollit belg.

Tri skuadrat e tjera që do të luajnë edicionin e ardhshëm në Ligën e Evropës janë RSC Charleroi, Royal Antwerp dhe Standard Liege.

Jashtë garave evropiane mbesin dy skuadrat e mëdha RSC Anderlecht dhe Genk.

Ndërkohë sa i përket finales së Kupës mes Antwerp dhe Club Brugge ende nuk është vendosur nëse do të zhvillohet ose jo.

Nuk ka largime nga elita, sezoni i ri pritet të jetë me 18 skuadra?

Waasland-Bevern ishte skuadra e fundit në tabelë, por do t’i shpëtoj rënies.

Federata ende nuk ka vendosur, por pritet që kampionati nga edicioni i ri të jetë me 18 skuadra, duke u inkuadruar dy nga Liga e Dytë.

Leuven dhe Beerschot pritet të futen direkt në elitën e futbollit belg dhe nga edicioni i ri kampionati do t’i ketë 18 skuadra.

Kësisoj kampionati elitar i Belgjikës bëhet i pari që përfundon para kohe edhe pse deri më tani ishin zhvilluar vetëm 29 takime. /Telegrafi/

Exit mobile version