Site icon Telegrafi

Kampi edukativ mes të rinjve nga Kosova dhe Mali i Zi, shkëmbejnë ide për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e turizmit

Një kamp edukativ dhe shkëmbyes idesh me tema nga trashëgimia kulturore në mes të rinjve nga Kosova dhe Mali i Zi dhe një konferencë për media u organizuar më 23 dhe 24 shtator 2024 në qytetin e Pejës.

Kampi u zhvillua në hapësirat e Hamamit të Haxhi Beut si një objekt me vlera të mëdha për historinë dhe kulturën e qytetit të Pejës, ndërsa aty u shtjelluan tema të ndryshme që kanë ngjallur një reagim shumë pozitiv në bashkëpunimet e mundshme në sektorin e kulturës dhe turizmit.

Pjesëmarrës në kap ishin studentët nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Fakulteti Politeknik nga Podgorica si dhe nxënës të shkollës së mesme të lartë të Artit nga Peja.

Të dy aktivitetet e cekura më lartë janë pjesë e projektit “Evokimi dhe Tërheqja e Trashëgimisë Kulturore – Antikiteti i Krishterë dhe Hamami Turk për Turizmin Kulturor” që ka rrjedh nga një bashkëpunim në mes të Muzeut Polim nga Berane dhe organizatës Merimangat e Pejës nga Peja.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se projekti ka shtrirje ndërkufitare ndërsa financohet nga programet e EU-IPA fondet nga Programi për bashkëpunim ndërkufitarë në mes të Malit të Zi dhe Kosovës.

Në këtë kamp rinor dhe në konferencë prezantuan ekspertë të ndryshëm nga institucionet publike si komuna e Pejës, muzeu i Pejës, sektori privat si tour operatorët, menaxher të projekteve për të rinj, arkitekt të licencuar për trashëgimi si dhe shoqëria civile të cilët janë të përfshirë në projekte të ndryshme për trashëgiminë dhe turizmin.

Projekti synon të përmirësojë ekonominë në zonën kufitare midis Malit të Zi dhe Kosovës apo më specifikisht zonat ndërkufitare si Peja dhe Berane, duke promovuar turizmin kulturor.

Fokusi i këtij projekti është identifikimi, ngritja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore në Berane përmes Antikitetit të Krishterë në zonën e Tumbarices, ndërsa në pjesën e Kosovës në Pejë të intervenohet në mbështjelljen e çatisë me plumb, mbrojtjen dhe promovimin e Hamamit të Haxhi Beut si vlerë e trashëgimisë arkitekturore.

Me qëllim që të ketë rezultate sa më të mirë gjatë punës, por edhe në vizibilitet, ky projekt do të përdorë teknologjinë moderne si modelin 3D për të ndihmuar në ruajtjen dhe dokumentimin e këtyre vendeve.

Ky aktivitet do ta bëjë më të lehtë për njerëzit mënyrën e eksplorimit dhe mësimit rreth tyre, qoftë përmes vizitave fizike gjithashtu edhe në mënyrë virtuale përmes paraqitjeve online.

Duke bërë këtë, projekti do të mbrojë vendet dhe do të ndajë historinë e rajonit me një audiencë më të gjerë.

Projekti gjithashtu inkurajon bashkëpunimin midis Kosovë dhe Malit të Zi, pasi ekipet nga të dy vendet do të punojnë së bashku në gërmime arkeologjike, aktivitete edukative dhe promovime.

“I gjithë qëllimi i këtij projekti është të krijoj mundësi atraktive në tërheqjen e sa më shumë vizitorëve në këto dy destinacione, gjë që do të kontribuoj në ekonominë lokale duke krijuar vende pune dhe mundësi të reja për biznese.

Në të njëjtën kohë, projekti siguron që këto vende të rëndësishme kulturore të ruhen për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version