Menaxheri i fushatës zgjedhore të Joe Biden ka mohuar se tentimet e kampit të Donald Trumpit do të mund të ndikojnë në rezultate, duke kërkuar rinumërim në disa shtete.
“Joe Biden ka fituar më shumë vota se çdo kandidat tjetër për president në historinë e Shteteve të Bashkuara, dhe po vazhdojmë t’i numërojmë votat. Mbi 140 milionë vota janë numëruar deri më tani, ku prej tyre mbi 72 milionë janë të Bidenit”, ka deklaruar Jenn O’Malley Dillon, transmeton Telegrafi.
“Votuesit kanë dalë në numër rekord për të votuar për Bidenin. Këto të dhëna po i sheh edhe Trumpi dhe për këtë po e di se po humb. Ai po vazhdon ta shtyjë para strategjinë e dështuar të dizajnuar kinse për të parandaluar numërimin e votave”, ka shtuar ajo.
O’Malley Dillon është shprehur e bindur se Joe Biden do të jetë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. /Telegrafi/