Site icon Telegrafi

Kammenos: Ratifikimi i marrëveshjes me Maqedoninë me 180 deputetë, me referendum ose me zgjedhje

“Populli grek duhet të vendose për marrëveshjen e Prespës, përmes zgjedhjeve apo referendumit, në rast se nuk ratifikohet me 180 deputetë në Kuvendin e Greqisë”, tha Panos Kammenos, ministër i mbrojtjes, lideri i “Grekëve të Pavarur” dhe partner koalicioni në qeverinë e Greqisë.

Siç raportojnë nga AIM, në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp në Ministrinë e Mbrojtjes të Greqisë, Kammenosi tha se marrëveshja është e keqe, dhe ai personalisht nuk e pranon dhe se do të tentojë ta bllokojë.

“Nuk ka gjasa të vij marrëveshja për ratifikim pa qëndrimin e popullit grek. Populli grek do të vendosë. Nëse nuk kalon me 180 deputetë, kurse “Demokracia e Re” dhe “PASOK” ndryshojnë qëndrimin që e kanë. Në këtë rast nuk mundemi të bëjmë asgjë. Por nuk do të lejojmë pa pajtimin e popullit grek, që mund ta bëjë përmes dy mënyrave, ose me referendum ose me zgjedhje, që të shkojë marrëveshja përpara”, tha Kammenos duke potencuar se ai, si kryetar i “Grekëve të Pavarur”, njëherit  edhe partneri i koalicionit qeveritar, e merr përgjegjësinë për qëndrimin konkret, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ministri i Mbrojtjes të Greqisë tha se “Shkupi nuk ka asnjë ardhmëri në NATO, nëse nuk ratifikohet marrëveshja”, kurse në raport me Greqinë, përsëri përsëriti qëndrimin se do të përpiqet të ndalojë ratifikimin pa pyetur popullin grek, në të kundërtën do të braktisë qeverinë.

“Nëse marrëveshja miratohet me ratifikimin e 151 deputetëve do të tërhiqem nga qeveria, do të shkoj tek Kryetari i Shtetit dhe do t’i them se e tërheq përkrahjen time për qeverinë, vendo shkon në zgjedhje, për të vendosur populli grek”, deklaroi Panos Kammenos.

Kammenosi sqaroi se marrëveshja e Prespës “nuk ka asnjë barrë dhe asnjë obligim për Greqinë” deri sa të ratifikohet në Kuvend, duke shtuar se ratifikimi i Kuvendit të Maqedonisë nuk është valide, sepse nuk ka nënshkrimin e Kryetarit të Shtetit dhe se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO nuk do të fillojë, deri sa Maqedonia t’i plotësojë obligimet e saja./Telegrafi/

Exit mobile version