Populli grek duhet të vendosë për emrin e ri të IRJM-së, tha ministri i mbrojtjes së Greqisë dhe lider i partisë “Grekët e pavarur”, Panos Kammenos.
“Përfshirja e termit ‘Maqedonia’ në emrin e IRJM-së do të nënkuptojë zvogëlim të domethënies së kulturës, historisë, filozofisë dhe artit grek në shekujt në vijim. Vendimi i tillë është jashtë fuqisë së çdo politikani, në cilin do qoftë nivel të pushtetit”, tha Kammenos, ndërsa deklarata e tij u përcjell nga agjencia informative e Greqisë, ANA.
Më shumë media rajonale gjatë kësaj periudhe kanë përcjellur se ndërmjet Athinës dhe Shkupit ekziston pajtim rreth përdorimit të emrit “Republika Maqedonia e Re”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ky është njëri nga propozimet që është aktual vite me rradhë, që nga fillimi zyrtar i kontestit të emrit në vitin 1991, por deri më tani nuk ka qenë i pranuar nga asnjëra palë.
Kohë më parë, i pyetur për një mundësi të këtillë, zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos tha se nuk dëshiron të merret me ‘spekulime’. Ai deklaroi se seria e re e negociatave vjen pasi që Qeveria e Maqedonsië ka hequr dorë nga “pozicionet ekstreme”, por nuk dha më tepër detaje./Telegrafi/