Një kamion i dedikuar për transportin e betonit është parë sot teksa ka kaluar nëpër njërën nga rrugët në qendër të kryeqytetit.
Një video, të cilën e kanë dërguar lexues të Telegrafit, shihet kamioni, i cili ka qarkulluar në Rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Sipas lexuesve, ky kamion kishte bllokuar edhe trafikun pasi që ishte e vështirë edhe të bëhej tejkalimi i tij.
Ndërsa sipas Ligjit Nr. 05/L-088, për rregullat e trafikut rrugor, në nenin 241 lidhur me autorizimin për mbikëqyrje të mjeteve rrugore në pikën 1 thuhet se Policia, inspektorati i Ministrisë, inspektorati i komunës, si dhe dogana, sipas kompetencave që kanë, janë të autorizuar t’i ndalojnë apo t’i largojnë nga trafiku mjetet rrugore ose mjetet e bashkëngjitura në rastet kur ato i tejkalojnë dimensionet, masën më të madhe të lejuar, ngarkesën boshtore ose e rrezikojnë sigurinë në trafikun rrugor.
Në pikën 2 thuhet se lëshimi në trafik i mjetit i cili është larguar mund të bëhet vetëm pasi t’i lëshohet certifikata nga autoriteti kompetent, me të cilën dëshmohet gjendja e rregullt teknike.
Në pikën 3 thuhet se ngarkesa e mjetit të ndaluar mbetet nën përgjegjësinë e transportuesit që e përdor këtë mjet./Telegrafi/