Telegrafi

Kamioni që transportonte tonelata eksploziv u përfshi nga zjarri dhe shpërtheu, shoferi australian shpëtoi mrekullisht

Një kamion që transportonte tonelata materiale shpërthyese, është përfshirë nga zjarri dhe ka shpërthyer, duke bërë që të ngritet në qiell një “kërpudhë” e tymit të zi.

Një prej rrotave të kamionit u përfshi nga zjarri në afërsi të Cosmo Newbury, rreth 1 mijë kilometra në lindje të Perth të Australisë, transmeton Telegrafi.

Por ajo çfarë është më interesant, shoferi i kamionit kishte arritur që në kohë të largohet dhe të krijoj distancë të mjaftueshme, për t’i shpëtuar shpërthimit.

Sipas hetuesve, shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që është ndjerë në shumë qytete përreth.

Vala e shpërthimit është ndjerë në minierën e arit, për të cilën punonte shoferi i kamionit dhe që gjendej 40 kilometra larg vendit ku ka ndodhur shpërthimi.

Pamjet shfaqin një hapësirë të madhe të shkatërruar, dhe një lloj krateri të krijuar nga shpërthimi i fuqishëm. /Telegrafi/