Telegrafi

Kamioni përplaset në turmën e mbledhur përpara një krematoriumi në Kinë, humbin jetën 17 persona

Një kamion u përplas në një grup qytetarësh që prisnin jashtë një krematoriumi në Kinën juglindore, ku si pasojë humbën jetën 17 prej tyre dhe 22 tjerë u lënduan, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua.

Aksidenti ndodhi pak pas mesnate në fshatin Taoling, rreth tridhjetë kilometra në juglindje të qytetit të Nanchang në provincën Jiangxi, transmeton Telegrafi.

Agjencia e lajmeve citoi banorët, të thoshin se pjesëmarrësit në një ceremoni po prisnin jashtë krematoriumit të mbushur me njerëz.

Thuhet se ata lanë qirinj dhe ushqim në anë të rrugës, një ritual i zakonshëm për të ndjerin, ndërsa prisnin të hynin në krematorium të nesërmen.

Shkaku i aksidentit po hetohet, raporton Xinhua. Shumë nga viktimat ishin nga Taoling. Raportet e mediave lokale nuk përmendën nëse krematoriumi ishte veçanërisht i zënë për shkak të valës së madhe të infeksioneve që përfshiu Kinën.

Pas gati tre vitesh bllokime, testime masive dhe karantina të detyrueshme, Kina braktisi politikën e saj strikte të shkallës zero Covid-19 më 7 dhjetor.

Që atëherë, vendi më i populluar në botë ka parë një rritje të shpejtë të numrit të infeksioneve, veçanërisht tek të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike. /Telegrafi/