Site icon Telegrafi

Kamioni me mallra nga Kosova prej tri ditësh mbahet “peng” në Austri

Një kamion me mallra nga Kosova është bllokuar tash e tri ditë në kufirin e Austrisë. Përkundër insistimit të vazhdueshëm, Rrahim Blakqori nga nga Poly Logistic ka thënë  se autoritet e Kosovës nuk po mundin t’iu bëjnë një zgjidhje. Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës i ka thënë Televizionit se kjo barrierë vjen si shkak i mungesës së lejeve transit që Austria nuk i ka dhënë.

Një kamion me mallra nga Kosova është bllokuar tash e tre ditë në kufirin e Austrisë. Përkundër insistimit të vazhdueshëm, Rrahim Blakqori nga nga Poly Logistic ka thënë për RTV Dukagjinin se autoritet e Kosovës nuk po mundin t’iu bëjnë një zgjidhje. Ndërsa, Ministria e Infrastrukturës i ka thënë Televizionit se kjo barrierë vjen si shkak i mungesës së lejeve transit që Austria nuk i ka dhënë

Të zakonshme e kanë lëvizjen Kosovë-Austri dhe anasjelltas.

Por ndryshe prej herave të tjera, Rrahim Blakqori tash e tre ditë është bllokuar në kufirin e Austrisë.

Kjo pasi që autoritetet austriake nuk po lejojnë që kamioni me mallra i kompanisë Poly Logistic të kalojë transit në shtetin e tyre.

Ndonëse e kanë lejen deri më 2024-tën, Blakqorit thotë se nga autoritetet austriake ju është thënë se Kosova nuk e ka lejen bilaterale për të kaluar transit.

Rrahim Blakqori nga Poly Logistic ka thënë se “Dokumentacioni i mallit që është bërë eksporti, gjithçka është në rregull. Këta thonë se nuk ka drejtë Kosova me kalu tranzitin dhe nuk janë valide lejet bilaterale që ua kanë jep Minsitria e Transportit. Ministria e Transportit e ka marrë prej Ambasadës së Austrisë”.

Për këtë problem, ata nuk po mund të bien në kontakt me Ambasadën e Kosovës në Austri.

“Ne i kërkonim nga ta të na dërgonin në Gjykatë. Ata thonë nuk merremi ne me këtë punë. Jemi mbet në peng, as këta nuk po i thërrasin e ambasada e Kosovës neve nuk po na lajmërohen. Veç thonë “pritni, pritni”. E është dita e tretë që jemi tu prit”, ka deklaruar Rrahim Blakqori.

E nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë për RTV se kjo është si rrjedhojë e mungesës së kontingjentit të lejeve për të operuar transit nëpër Austri.

Ministria e Infrastrukturës ka deklaruar se “Sa i përket  çështjes së ngritur nga ana juaj në lidhje me dënimin e operatorit në fjalë, sapo kemi marrë informatën në lidhje me ndalimin/dënimin e operatorit tonë rezident të mallrave POLY LOGISTIC, kemi njoftuar  Ambasadën tonë në Austri dhe Ambasadën e Austrisë në Prishtinë gjatë vitit 2022 dhe 2023 lidhur me dënimet e operatoreve tonë nga autoritetet austriake, gjithashtu  kemi adresuar me dhjetëra herë çështjen e mungesës së  kontingjentit të lejeve për të operuar transit nëpër territorin e Austrisë për operatorët tonë rezident , por ende nuk kemi pranuar përgjigje pozitive nga Ministria e linjës së Austrisë”.

Gjatë 2023-tës Austria kishte dërguar kontingjentin e lejeve bilaterale por jo edhe të lejeve transit.

“Në këtë kontekst vlen të potencohet se aktualisht  për vitin 2023 autoritetet austriake kanë dërguar kontingjentin e  lejeve bilaterale gjithsejtë 100 copë, por jo edhe kontingjentin e lejeve tranzite. Andaj kjo situatë paraqet barrierë për operimin transit nëpër territorin e Austrisë nga operatorët tonë rezident”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Ndërsa në 2022-tën Kosova kishte kërkuar 500 leje  për operim transit por autoritetet austriake kishin dërguar 100 copë e që ishin shfrytëzuar në gjashtë mujorin e parë 2022-ës.

Në lidhje me rastin, Televizioni ka kontaktuar edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Ambasadën e Kosovës në Austri por të njëjtat nuk kanë kthyer përgjigje.

 

Exit mobile version