Site icon Telegrafi

Kamioni bllokoi për disa minuta Tunelin e Llogarasë, shoferi shkel rregulloren për ndalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë

Një kamion i një kompanie tregtimi të ujit është bërë shkak që qarkullimi i mjeteve në Tunelin e Llogarasë të bllokohej për disa minuta ditën e djeshme.

Shoferi ka shkelur urdhrin që ndalon qarkullimin e kamionëve dhe mjeteve të tjera të tonazhit të rëndë në tunel, raporton Shqiptarja.com.

Kur ka arritur në gjysmë të rrugës, shoferi ka vendosur të kthehet mbrapsht duke bllokuar plotësisht qarkullimin e mjeteve brenda në tunel.

Është e paqartë nëse drejtuesi i mjetit ka vendosur vet që të kthej kamionin në mes të tunelit, apo punonjësit e Policisë së Shtetit që merren me menaxhimin e qarkullimit në këtë aks e kanë detyruar të kthehet pas.

Qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë është i ndaluar në Tunelin e Llogarasë, ndaj rruga e vetme për to për të shkuar më thellë në jug të vendit, nga Vlora, është rruga e vjetër nga Qafa e Llogarasë. /Telegrafi/

Exit mobile version