Një aksident ka ndodhur në Bardhosh ku një kamionetë ka goditur një këmbësor, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.
Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë për Telegrafin se i lënduari është përcjell për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 16:45 në Bardhosh, në rrugën Prishtinë -Podujevë është raportuar për një aksident rrugor, ku të përfshirë kanë qenë një automjet/kamionetë, dhe një këmbësor. Policia ka dal menjëherë në lokacion. I lënduari është përcjellë për trajtim mjekësor”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka thënë se Policia me njësitet e saj janë në proces të sqarimit të rrethanave se si është shkaktuar ky aksident dhe kryerjen e procedurave tjera.
“Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të jenë më të kujdesshëm, në veçanti drejtuesit e automjeteve që t’u përmbahen rregullave në trafik. Përndryshe masa rigoroze janë duke u aplikuar dhe do të aplikohen në vazhdimësi nga Policia ndaj të gjithë atyre që bien në kundërshtim me rregullat në trafik”, ka thënë Hoxha./Telegrafi/